Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, deklaroi të premten se vendi i tij do të vazhdojë të blejë naftë dhe gaz natyror nga Rusia, pavarësisht kërkesave nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të ndërprerë bashkëpunimin me Moskën. “I thashë presidentit të SHBA-së se, nëse Hungaria shkëputet nga nafta dhe gazi rus, menjëherë, brenda një minute, ekonomia e Hungarisë do të bjerë me katër për qind”, tha Orbán gjatë një interviste për televizionin shtetëror hungarez, raporton AP. “Kjo do të ishte katastrofike, ekonomia jonë do të rrëzohej”, shtoi ai. Hungaria është një nga vendet e pakta në Evropë që ende blen energji nga Rusia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Trump kishte kërkuar këtë muaj që të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Hungarinë, të ndalojnë blerjet e naftës nga Rusia, duke argumentuar se lufta mund të përfundojë nëse ndalohet importi i energjisë ruse. Kryeministri hungarez tha se nuk ka nevojë për debate për importet e energjisë të Hungarisë.
26/09/2025 - 15:03:05
Mbrëmjen e së mërkurës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në pritjen e organizuar në Nju Jork nga Albanian American Relations Council (AARC), ku gjatë fjalës së saj përkujtoi rreshterin Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit terrorist në Banjskë. Në përvjetorin e rënies së tij, Osmani nderoi heroizmin e Bunjakut, duke theksuar se ai mbrojti me jetën e tij dinjitetin e kombit dhe lirinë e Kosovës. Këto janë prirjet e reja në dizajnin e kuzhinës për vitin 2025 (Kliko këtu për të parë) Rimodelim Kuzhine | Kërko reklama Mëso më shumë “Po filloj me disa fjalë shqip për një arsye shumë të veçantë. Sot (dje) është përvjetori i rënies në altarin e lirisë të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili para dy vitesh me heroizmin me të lartë, mbrojti territorin e Kosovës, sovranitetin e Kosovës, e mbi të gjitha mbrojti dinjitetin e kombit tonë duke dhënë mesazh të fuqishëm edhe një herë, jo vetëm brenda nesh por para botës, se Kosova nuk thyhet se Kosova nuk dorëzohet dhe se Kosova përgjithmonë do të jetë e lirë dhe e pavarur”. Presidentja shtoi se një nga vendet më të rëndësishme për të nderuar dëshmorët është pikërisht pranë komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët gjithmonë kanë qëndruar në krah të Kosovës. “Edhe sonte nuk ka vend më të mirë se sa në mesin e shqiptaro-amerikanëve që të nderojmë ata që dhanë më të shtrenjtën, dhanë jetën e tyre që ne sot të frymojmë lirshëm. Lavdi gjithë çlirimtarëve tanë dhe të gjithë heronjve të kombit tonë”, deklaroi Osmani.
25/09/2025 - 21:13:22
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për një takim zyrtar me presidentin amerikan, Donald Trump, në një moment të ndjeshëm për zhvillimet globale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë takim të dytë mes tyre në Uashington, liderët diskutuan për luftën në Ukrainë, krizën në Gaza dhe perspektivat e bashkëpunimit ekonomik e ushtarak mes SHBA-së dhe Turqisë. Trump theksoi se Erdogan gëzon respektin e të dy liderëve të konfliktit në Ukrainë, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, dhe se ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizës, nëse zgjedh të mos mbajë qëndrim neutral. “Putin duhet të ndalet,” tha Trump, duke shtuar se Rusia ka shpenzuar miliona për bomba, por ka fituar shumë pak territor. Një tjetër çështje e nxehtë ishte kërkesa e SHBA-së që Turqia të ndalojë blerjen e naftës ruse, për të mos minuar përpjekjet perëndimore kundër Moskës.
25/09/2025 - 21:05:44
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e tij të parë bilateral me kryeministrin e Belgjikës, Bart De Wever, në Bruksel – qytetin që shërben si qendër e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në një postim në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë e këtij takimi për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në pah mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Kosovës, sidomos në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. “Folëm për mundësitë e reja që shtojnë shkëmbimet, thellojnë bashkëpunimin dhe forcojnë raportet tona,” shkroi Kurti. Ai kujtoi gjithashtu se Belgjika, në vitin 2023, ngriti zyrën e saj diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, ndërsa këtë vit njoftoi se do të mirëpresë atasheun e mbrojtjes së Kosovës. Vetëm dy muaj më parë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe ajo e Belgjikës nënshkruan një Deklaratë të Qëllimit të Përbashkët në fushën e mbrojtjes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ushtarak.
25/09/2025 - 21:04:20
Ditën e sotme mediat dhe rrjetet sociale u mbushën me raportime se ora luksoze Richard Mille, të cilën e kishte blerë reperi i njohur Mozzik, ishte fallco. Lajmi bëri xhiron e portaleve dhe shkaktoi reagime të shumta mes fansave, duke vënë sërish artistin në qendër të vëmendjes. Pak orë më vonë, Mozzik reagoi publikisht përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale. Reperi ka deklaruar se ajo që ndodhi me orën ishte lojë me skenar nga vetë ai për pushtetin. Ai e quajti këtë një sulm personal dhe të stisur ndaj tij, duke theksuar se gjithçka që ka arritur e ka bërë vetëm falë talentit dhe punës së tij. “Nuk kam fituar para as me drogë, as me hajni. Kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”, shkroi ai. Reperi, i cili prej kohësh pretendon se është përballur me padrejtësi dhe presion nga autoritetet, shtoi se kjo situatë është bërë personale prej Dimal Bashës e Hekuran Muratit.Ai hamendësoi nëse kryeministri Kurti është në dijeni për ato që i quan “inate personave nga vendasit e tij” duke iu referuar Bashës e Muratit. “Unë i kam vetëm 29 vjet por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më lini rehat, se tash ju nxora ashiqare!”, përfundoi Mozzik reagimin e tij.
24/09/2025 - 14:09:35
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë këto ditë sondazhin e fundit të porositur për nevoja të brendshme të partisë, ku u bë matja për secilën komunë. Sic është mësuar nga burime të sigurta brenda VV-së, sondazhi e ka nxjerr humbës kandidatin e GUXO-s, Faton Peci, që në raundin e parë, shkruan „Jepi zë“. Në këtë sondazh, kandidati i PDK-së Arian Tahiri ka dalë i pari me mbi 50%, gjë që nënkupton se gara për Mitrovicën mund të mbyllet pa balotazh. E kjo gjë është vërejtur këto ditët e fundit, kur ka nisur ndryshimi i strategjisë nga partia GUXO, të cilët kanë nisur sulme ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri. Sipas strategjisë së njohur dhe të përdorur shumë tashmë, do të përdoret figura e Sami Lushtakut, për ta goditur kandidatin e PDK-së, gjoja kontrollohet nga ai. E njëjta strategji ishte përdorur edhe nga Agim Bahtiri kundër Bedri Hamzës. Po ashtu, pjesë e strategjisë së re janë edhe sulmet personale ndaj kandidatit Arian Tahiri, me qëllim dëmtimin e imazhit të tij. Këto detaje të strategjisë i ka mësuar redaksia e „Jepi zë“ përmes burimeve nga brenda Partisë Guxo në Mitrovicë dhe është ndryshim i kursit pasi para disa javësh ishte bërë strategjia që të mos sulmohet kandidati i PDK-së me arsyetimin se „po i rritet njohja tek qytetarët“. E zbatimi i strategjisë ka nisur me disa faqe të hapura rishtazi për fushatë, sic janë „Zëri i Mitrovicës“, „Mitrovica Today“ të cilën e shpërndau edhe Faton Peci, „Minatori Press“, „Mitrovica Ime“ për të cilat nuk dihet kush i ka hapur, si dhe faqja e partisë Guxo në Mitrovicë. Po ashtu, janë hapur qindra profile fallco, për nevojat e realizimit të kësaj strategjie.
24/09/2025 - 13:58:12